Rami Saari
Në shqip, dhomës së ndenjës i thonë
“oda e miqve”,
dhe në këtë shtëpi ka vetëm një dhomë pa dritare
me një derë të vetme nga jashtë.
Kështu kanë ndërtuar gjithmonë këtu,
ti ma tregon me kënaqësi:
nga frika e të panjohurve dhe të gjakderdhjes.
Edhe sot
bota është dinake dhe mizore,
jeta, një mjedis armiqësor. Sidoqoftë,
në mes të dhomës
djeg një zjarr, kafe e zezë nxjerr avull dhe zihet.
Ti e derdh, vështron e sheh: nata nuk do të jetë
një ishull gjumi. Katër do të shtrihen në këtë dysheme –
ti dhe vëllezërit e tu, dhe trupi im
(nga të katër erërat, vetëm unë isha i destinuar
të vija në këtë fshat të largët).
Nuk do të ketë çlodhje në oden e miqve, vetëm
pak komoditet, dhe do t´i kthehemi rrugës sonë:
netet, te cilat dynden të rraskapitura përreth nesh,
nuk do të na qetësojnë gjakun.
Përkthyer nga Silke Liria Blumbach, “Kur të digjem”
(Festivali ndërkombëtar i poezisë “Ditët e Naimit” IX, 2005)
ALBANIAN POETRY translated by Saari to Hebrew
ALBANIAN PROSE translated by Saari to Hebrew
Rami Saari’s page